A e dini pse Lëvizja Vetëvendosje po e sulmon Janina Ymeri -in?

Sepse Janina Ymeri ka qenë ndër zërat e parë që ka ngritur dyshime serioze dhe ka denoncuar publikisht “mafinë energjetike”.

Janina ka bërë atë që duhet ta bëjë çdo deputet e qytetar aktiv: ka kërkuar sqarime, ka kërkuar hetime dhe ka insistuar në transparencë.

Ajo ka dërguar kërkesë për hetim në ACER, në selinë qendrore në Lubjanë.
Ka dërguar kërkesë për hetim edhe në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë. Po ashtu, ka dorëzuar kërkesë për hetim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku edhe ajo edhe unë jemi thirrur të dëshmojmë.

Prandaj sot po mundohen ta nxjerrin nga konteksti një pyetje të saj drejtuar Ambasadës Amerikane për ofertën e gazit amerikan për Kosovën, duke u përpjekur ta paraqesin si diçka antikombëtare.

Por antikombëtare nuk është të pyesësh për alternativa energjetike.

Antikombëtare është të heshtësh para mafisë energjetike. Antikombëtare është të heshtësh përballë shantazhit që kompania e Vuk Hamoviqit u bën institucioneve tona. Antikombëtare është të heshtësh e të mbrosh mbi 1 miliard euro import të energjisë gjatë këtij mandati.

Ju pengon Janina, por nuk ju pengon Martini që paguhet nga GEN-i i Beogradit.

Një deputete që angazhohet ditë e natë për interesin qytetar nuk mund të heshtet me propagandë, linçime e montime deklaratash. Linçimet nuk i ndryshojnë faktet.

Nuk do të arrini ta heshtni as Janina Ymerin, as të vërtetën, kushdo që sot mundohet ta mbulojë me propagandë, nesër do të përballet me fakte, me dëshmi dhe me përgjegjësi.

Me Janina Ymerin.